Aktuale

AAK akuzon Thaçin dhe Mustafën për tinëzi rreth demarkacionit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit Isa Mustafa, pas deklaratave të tyre të bëra gjatë ditës në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi.

Lekaj e ka quajtur Mustafën “Kryeministër tinzar”, duke thënë se “e ka ngatërruar kohën dhe ka harruar se nuk e ka ish-regjimin”, raporton Gazeta Express.

“Në mënyrë tinzare, kryeministri që po qmendet, e presidenti që se njeh unitetin, dëshirojnë të ndërrojnë kursin e debatit për demarkacionin, duke insistuar tash në emertimin personal se kush sa hektarë tokë ka humbur me ketë marrëveshje”, ka thënë Lekaj.

“Pse kështu, në mënyrë perfide, hajduteske, fshehtas? Sepse i kanë marrë ca dokumente nga Mali i Zi (dikush ditën e dikush natën e nëpër errësirë) e po mendojnë se kanë argumente që i rrëzojnë faktet, e dhjetëra ekspertëve e deputetëve, se Kosova humb mbi tetëmijë hektarë tokë”, thuhet në reagimin e Lekajt.

“Po të ishte ashtu siç po thonë këta të dy, pse nuk ka ardh marrëveshja në debat para një viti, para nënshkrimit. Sepse edhe ky proces si gjithë të tjerët, brenda dhe jashtë, janë bërë me tallje për Kosovën. Duke thënë “hajt se kalon edhe kjo…” Nuk i kemi faj këtyre njerëzve që po i tremb për vdekje, dalja në shesh e së vërtetës. Skena politike në vend nuk duhet të përçahet për fajin e dy njerëzve, në qeveri e presidencë dhe për shkak të një komisioni të keq”, ka thënë Lekaj,

“E meta e gjithë kësaj kohe është se, pushtetarët po dëshirojnë të fitojnë dinjitet duke u sjellur pa dinjitetshëm në radhë të parë përpara qytetarëve e pastaj ndaj secilit profesionistë i cili ka guximin tu bëjë ballë me argumente qeverisë dhe presidentit”, thuhet në reagim.

“Deputetët duhet të bëjnë maksimumin që të bindin veten e të jenë dinjitozë e mbi të gjitha gardian të së vërtetës e cila logjikshëm na thotë se është në anën e qytetarëve (sidomos atyre të Junikut, Deçanit, Pejës dhe Istogut) që po e kundërshtojnë çdo ditë me krejt mënyrat e mundshme demokratike. Këta qytetarë kufirin e duan vijë miqësore e jo diçka tjetër”, përfundon reagimi. /Express/