Kosova po përgatitet ta themelojë një Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit. Përderisa disa besojnë se ky mund të ndërtojë dialog mes shqiptarëve e serbëve të Kosovës, të tjerët mendojnë se ky është një mjet politik për Presidentin, Hashim Thaçi.
Përballë shtëpisë së Agron Limanit në Krushë të Vogël të Prizrenit është ende një gropë e madhe që i kthen atij shpesh përfytyrimin në mesditën e 26 marsit të vitit 1999 kur aty babai, vëllezërit dhe axha i tij u vranë së bashku me 109 persona të tjerë.
Aty ku tani është kjo gropë ishte një shtëpi tjetër, por një ekskavator e hoqi me themel derisa i merrte trupat e të vrarëve.
Një pjesë e trupave ishin gjendur më vonë poshtë në lum, por shumica e tyre mungonin.
I vëllai i tij, Luani, në atë kohë 21 vjeçar, u gjet në vitin 2014 në një varrezë masive afër Prizrenit, por tre të tjerët janë ende të zhdukur.
“Nuk mundemi me folë për pajtim me varre hapur, pa u zbardhur krimet, pa u gjendur njerëzit, pa pasur drejtësi”, thotë Agron Limani për BIRN.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka iniciuar vitin e kaluar formimin e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, një mekanizëm që synon të vendosë bazën e dialogut dhe pajtimit mes etnive të ndara gati dy dekada pas luftës së Kosovës.
Thaçi ka thënë se duhet ballafaquar me të vërtetën rreth asaj që ka ndodhur gjatë luftës dhe njerëzit në Kosovë të mos mbeten të gozhduar në të kaluarën.
“Shoqëria kosovare dhe Ballkani në përgjithësi janë ende peng i këtyre tregimeve të së kaluarës dhe gjeneratat që lindën pas luftës i shohin bashkëmoshatarët e tyre nga komuniteti tjetër si armiq dhe kërcënim, jo si shoqëri për bashkëpunim dhe bashkëjetesë”, ka thënë ai marsin e kaluar në një takim përgatitor për Komisionin.
Denisa Kostovicova, profesoreshë e asociuar në Politikat Globale në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër thotë se ka shumë pak gjasa të ecet përpara nëse trashëgimia e dhunshme nuk trajtohet bazuar në faktet e pranuara reciprokisht që njeh vuajtjen e të gjitha viktimave.
“Testi më i madh për çdo shans suksesi të tij qëndron në aftësinë e tij për ta bindur publikun se nuk është një shembull tjetër i instrumentalizimit politik të drejtësisë pas konfliktit”, tha Kostovicova për BIRN.
Një Ekip Përgatitor për këtë Komision është bërë funksional në maj, por iniciativa ende vazhdon të jetë e paqartë se çfarë synon të arrijë ky mekanizëm duke ngritur pikëpyetje nëse serbët e Kosovës, që kanë një narrativ të ndryshëm nga shqiptarët për luftën, do të përfshihen në këtë proces.
Ndërkohë, politikanët e opozitës në Kosovë thonë se Presidenti Thaçi e plasoi këtë iniciativë për qëllime politike, jo nga një dëshirë e sinqertë për pajtim.
Ardian Arifaj këshilltar i Presidentit Thaçi, që kryeson Ekipin Përgatitor për Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit thotë se po synohet dialogu dhe pajtimi brenda-kosovar në mes të komuniteteve.
“Ky Komision do të merret me shtyllën e parë të përballjes me të kaluarën, me të drejtën për të ditur, jo me shtyllën tjetër, të drejtën për drejtësi”, thotë Arifaj për BIRN.
Ai këmbëngul se përvojat e viktimave të luftës do të jenë në zemër të kësaj nisme.
“Kjo ka synim viktimat, të ofrojë pranim për viktimat dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, thotë ai.
Megjithatë, disa nga familjarët e atyre që u zhdukën gjatë luftës, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur thonë se intensifikimi i kërkimit të personave të humbur dhe ndjekja penale e vrasësve të tyre duhet të jetë shqetësimi kryesor i autoriteteve.