Aktuale

​Garda e Ajovës vazhdon përkrahjen për FSK-në

Ministri i MFSK-së, Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama pritën sot në takime të ndara komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA), Timothy Orr me bashkëpunëtorë.

Me këtë rast ministri vlerësoi lart bashkëpunimin e mirë dhe intensiv të FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës, e cila përmes programit të ‘Partneritetit për Paqe’ po e ndihmon FSK-në në ngritjen profesionale dhe infrastrukturore; si në fushën e trajnimeve, edukimit, donacioneve, programeve të veçanta dhe këshillimeve.

Në një njoftim për media thuhet se ministri Demolli e njoftoi komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, me bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe rreth procesit të transformimit të FSK-së.

Edhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama e falënderoi komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralin Timothy Orr, për ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së për FSK-në, duke çmuar veçanërisht kontributin e instruktorëve të Gardës Kombëtare në ngritjen profesionale të FSK-së.

Ndersa, komandanti i Gardës Kombëtare Timothy Orr premtoi edhe në të ardhmen, vazhdimin e bashkëpunimit më intensitet edhe më të madh të Gardës që ai drejton me FSK –në.

Ai falënderoi ministrin Demolli dhe gjeneralin Rama për pritjen si dhe vlerësoi lartë bashkëpunimin me FSK-në, duke u shprehur se ndjehet shumë krenar me këtë bashkëpunim.

Gjenerali Orr premtoi, edhe në të ardhmen, vazhdimin e bashkëpunimit më intensitet edhe më të madh të Gardës që ai drejton me FSK –në.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendësministrat Fadil Gashi dhe Muhamet Latifi, kolonel Ilir Qeriqi-drejtor i Drejtorisë për Sigurim dhe Bashkëpunim i MFSK-së, atasheu ushtarak i SHB-së në Prishtinë- kolonel Anthony Butts, nënkoloneli Michael Ëunn-drejtor i Programit të Partneritetit Shtetëror, majori Jodi Marti dhe rreshteri Rachel Fails, koloneli Fadil Hadërgjonaj- këshilltar ushtarak i ministrit, shefi i Kabinetit të Ministrit, Latif Leka dhe ish- atasheu ushtarak i FSK-së në SHBA, gjeneral brigade Xhavit Gashi. /KosovaPress/