Aktuale

Tentoi të korruptonte policin rrugor për parakalim të gabuar, në pranga taksisti nga Saranda

Arrestohet në flagrancë një drejtues mjeti, pasi tentoi t’i jepte para punonjësit të policisë për të mos marrë masë administrative.

Nga Specialistët e Sektorit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Anesti Mërkuri, banues në Sarandë, (taksist). Policia sqaron se në vendin e quajtur “Ish Fabrika e Fosforit”, në aksin rrugor Tepelenë-Krahës është ndaluar nga patrulla e Policisë Rrugore Tepelenë, për arsye se, duke drejtuar mjetin e tij tip “Mercedez”, me targa AC 482 T (taksi), ka bërë parakalim të gabuar.

Në momentin e ndalimit ky shtetas ka tentuar t’i jap një shumë parash punonjësit të policisë rrugore për të mos marrë masë administrative. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.