Më shumë pauza se sa diskutim. Kështu dukej sot debati në Kuvend rreth pikës për shkarkimin e prokurorit republikan Marko Zvërlevski. Megjithatë në minutat derisa në Kuvend zhvillohej debat, pozita dhe opozita sërish u përplasën për shkarkimin e Zvërlevskit.
Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së që thirreshin në Nenin 8 të Kodit Zgjedhor, është e paligjshme të debatohet rreth shkarkimit të prokurorit publik në kohën kur janë shpallur zgjedhjet lokale. Ata propozuan që kjo pikë të shtyhet të paktën deri më 16 tetor, e në ndërkohë deputetët t’u përkushtohen problemeve tjera.
“Ligji thotë se këtë procedurë ju jeni të obliguar ta shtyni, dhe këtë seancë rreth kësaj pike ta caktoni për 16 tetor. Në ndërkohë, edhe pse kemi vullnet të punojmë edhe në gusht, nuk ka kurrfarë problemi, deputetët e koalicionit për Maqedoni më të mirë, janë të pranishëm thuajse 90%. Ka shumë pika tjera që me të vërtetë janë të rëndësishme për qytetarët. Deponia në Strugë pret tashmë tre muaj, nuk caktohet seancë për zjarret, nuk caktohet për Bullgarinë”, tha Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, reagoi dhe tha se nuk ka pengesa që Kuvendi të vazhdojë me debatin dhe evaluimin e procesit, ndërsa rreth qëndrimeve të VMRO-DPMNE – së, reaguan edhe nga LSDM – ja. Sipas tyre, pushteti i deri djeshëm ka për qëllim që vetëm kjo pikë të mos arrijë deri tek thelbi i saj.
“Sot jemi dëshmitarë edhe të një përpjekje të opozitës për ta stërzgjatur punën e Kuvendit. Sot opozita dukshëm po përpiqet që kjo të shkojë në pafundësi, pra procedura e cila ka filluar sipas të gjitha rregullave ligjore me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë për punën e paligjshme të prokurorit publik shtetëror”, deklaroi Tomislav Tuntev, LSDM.
Debati për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevskit pritet të zgjasë, kjo për shkak të paraqitjes së një numri të madh të deputetëve për fjalë përfshi këtu edhe replikat dhe kundër-replikat, por pa mos përjashtuar edhe ndërhyrjet e shpeshta procedurale.