Viti 2019 është mundësi e madhe për t’u arritur marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një ligjëratë para një grupi studiuesish nga Akademia Diplomatike e Vjenës të cilët po qëndrojnë në Kosovë.
Megjithatë, Hoxhaj ka shtuar se do të jetë një mundësi e humbur nëse në Samitin e Parisit nuk i projekton parimet dhe parametrat rreth dialogut.
“Viti 2019 është një mundësi e madhe për të arritur marrëveshjen me Serbinë por edhe një shansë e humbur nëse Samiti i Parisit nuk i projekton parimet, pritjet dhe parametrat e qartë rreth dialogut. Për këtë qëndrim dhe tema të tjera bisedova me një grup vijuesish të Akademisë Diplomatike të Vjenës që po qëndrojnë për një vizitë studimore në Kosovë”, tha Hoxhaj transmeton FaktePlus.
Me tutje numri dy i Qeverisë ka thënë se Kosova është e interesuar të arrijë një marrëveshje, por kjo duhet të bëhet ndërmjet një bashkëveprimi mes SHBA-së dhe BE-së.
“Theksova se Kosova është e interesuar dhe e përgatitur për të arritur një marrëveshje dhe kjo mund të bëhet nëpërmjet një bashkëveprimi të SHBA-së dhe BE-së. Por fare lehtë, kjo mundësi e madhe e këtij viti mund të kthehet edhe në një zhgënjim të madh. Vetëm me një agjendë të mirëfilltë përmbajtësore dhe kohore e bën 2019-ën mundësi për marrëveshje por në të kundërtën një vit të dështimit”, ka theksuar Hoxhaj.
Hoxhaj ka shtuar se Kosova, falë edhe mbështetjes së miqve ka arritur të forcoj vazhdimisht shtendërtimin e brendshëm dhe të zgjeroj sovranitetin e Kosovës duke u integruar në shoqërinë ndërkombëtare. /FaktePlus