Pozita e grave në shoqërinë kosovare ende mbetet e vështirë. Mungesa e pjesëmarrjes në pozita vendimmarrëse në institucionet e Kosovës, dhuna ndaj grave, pjesëmarrja në pronë e shumë tjera, janë të gjeturat e raportit të Agjencisë për Barazi Gjinore, të publikuar sot në ditën ndërkombëtare të gruar, më 8 Mars.
Ardiana Gashi nga konzorciumi NIRAS/SIDA, ka prezantuar “Raportin e vlerësimit të programit të Kosovës për barazi gjinore 2008-2013”, ku tha se ende mbetet sfidë pjesëmarrja e grave në pozita vendimmarrëse, siç janë në postet ministrore, kryetare komune e të tjera.
Mungesë e pjesëmarrjes së grave në pozita vendimmarrëse ka edhe në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Sa i përket pozitës së grave në pozita vendimmarrëse, po i referohemi legjislaturës së katër në periudhën 2008-2013, kemi pasur një presidente grua, kemi pasur dy gra zëvendëskryeministre, dy gra ministre, një grua kryetare komune, në Kuvendin e Kosovës nga 120 deputetë, 40 kanë qenë femra, ku 15 prej të cilave kanë fituar direkt votat, jo si rezultat i kuotës, kjo nuk do të thotë se nuk na duhet kuota, por thjeshtë është një progres që duhet ta gëzojmë. Çka mbetet sfidë, është pjesëmarrja nga gratë në ministri, vetëm 4 për qind në komuna, në Policinë e Kosovës, vetëm 10 për qind e pozitave vendimmarrëse mbulohen nga gratë, ndërsa, në FSK 6.3 për qind e tyre, dhe kjo krejt e nxjerr në pah sfidën kryesore që është zbatimi i plotë i ligjit për barazi gjinore, i cili kërkon që i kaluari ka kërkuar që 40 për qind e pozitave vendimmarrëse, ndërsa, aktuali përkon 50 për qind”, tha Gashi.
Ajo ka theksuar se sfida kryesore për të mbijetuarat e dhunës në familje, mbetet riintegrimi i të mbijetuarave nga dhuna në familje dhe sigurimi i mbështetjes financiare të qëndrueshme për strehimore.
Duke folur për pjesëmarrjen e grave në media, Gashi tha se disa media kanë arritur t’i përfshijnë disa udhëzime në dokumentet e tyre për adresimet e stereotipeve gjinore që ka qenë një prej synimeve në kuadër të PKBGJ-së.
Sipas tij, edhe gjatë kësaj periudhe është vërejtur një rritje e pjesëmarrjes së grave si gazetare në mediat e shkruara dhe elektronike, por theksoj se ende mbetet sfidë mos pjesëmarrja në pozita vendimmarrëse në media e grave.
“Sfidat kryesore që mbesin vijnë si rezultat i mungesës së një koordinimi në mes institucioneve, zgjedhjen afatgjate të problemeve që i ka identifikuar nga PKBGJ-ja. Sipas të dhënave që kemi siguruar për këtë vlerësim, del se ende është pjesëmarrja e kufizuar e grave si gazetare në pozita vendimmarrëse dhe si redaktore. Ekziston hapësirë e kufizuar e grave në media edhe pse gjatë fushatave është rritur një ngritje e grave në media mirëpo, përgjatë gjithë vitit prania e grave në media është e kufizuar”, shtoi ajo.
Në fund, Gashi ka prezantuar edhe rekomandimet e raportit. Sipas saj, rekomandimet janë, që gjendja duhet të ndiqet me aktivitete, duhet të analizojnë kapacitet e mekanizmave koordinues, duhet të bëhet një vlerësim kritik i kornizës ligjore, PKBGJ-ja duhet të orientohet në rezultate, të përcaktohen indikatorët qartë, ata aktual dhe ata të synuar, të përcaktohen cilët mekanizma janë përgjegjës dhe të përcaktohet buxheti.
Në shënimin e ditës ndërkombëtare të gruas mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se gratë po japin kontribut të madh në ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
“Sot mbushen 116 vjet nga marshimi i grave për të drejtat e tyre në Evropë dhe natyrisht këtij rrugëtimi historik i ka kontribuuar edhe gruaja kosovare e cila jo me decenie por me shekuj ka luftuar për të drejtat e saj dhe ne jemi të privilegjuar që kemi gra në institucionet e Kosovës, në Parlament, në Qeveri dhe gjitha institucionet tjera dhe ato po japin kontribut të rëndësishëm të ndërtimit të këtyre institucioneve. Ato kanë bërë sakrifica të mëdha edhe në luftë edhe pas luftës dhe që kjo që sot ne po gëzojmë është rezultat para se gjithash i një aktiviteti dhe kontributi të veçantë të gruas në ndërtimin e këtyre institucioneve”, theksoj Mustafa.
Kreu i qeverisë foli për veprimet e ndërmarra në sigurimin e barazisë gjinore. Ai tha se një çështje që ka dhënë rezultate, është regjistrimi i pronave në emër të grave, në emër të dy bashkëshortëve dhe se kanë qëndrimin si Qeveri që të zgjasin afatin e regjistrimit që të sigurojmë masa që bashkëshortët të jenë të barabartë sa i përket përkatësisë pronësore.
“Pavarësisht arritjeve në parandalimin e luftës kundër dhunës ndaj gruas mbetet akoma mjaftë shumë për t’u bërë. Qeveria e ka aprovuar strategjinë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe planin e veprimit, i cili plan i veprimit na bashkon në një platformë të përbashkët, qeverinë, shoqërinë civile, partnerët ndërkombëtar dhe partnerët vendorë që do të mundësoj pastaj edhe riintegrimin e fuqishëm të grave në institucione, shoqëri dhe gjithsesi edhe largimin e dhunës dhe ciklit të dhunës”, tha Mustafa.
Ndërsa, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson tha se politika e jashtme suedeze bazohet në barazi, paqe dhe zhvillim. Sipas tij, barazia gjinore është një qëllim fundamental, realizimi i të drejtave të grave është e drejtë ndërkombëtare por është edhe parakusht për arritjen e objektivave tona zhvillimore, të paqes dhe sigurisë.
“Suedia ka një politikë të jashtme feministë ku me ç’rast kemi ulur diskriminimin ndaj grave dhe kemi kontribuuar në paqe, siguri dhe zhvillim. Dëshirojmë të kemi një pjesëmarrje me të madhe të grave në vendimmarrje, pavarësisht gjërave tjera. Këtë formë qëndrueshmëria e shoqërive tona rritet, politikat e tona mundohen t’i përforcojnë dhe t’i realizojnë të drejtat e grave dhe qasjen në burime”, theksoj Nilsson.
Ai po ashtu shtoi se të drejtat njerëzore janë të drejtat e grave gjithashtu. /kp/