Arsim & Kulturë

Sonte nga ora 19.00 në “PITF 2018” do të jepet shfaqja nga Italia “Rrëfimi”

Sonte, në natën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2018), në Kolegjin AAB, do të jepet shfaqja ‘’The Confession’’ (Rrëfimi), nga aktori dhe vet regjisori Alfredo Traversa.

Kjo shfaqje flet për një prift homoseksual në Itali,i cili i ka treguar botës për homoseksualitetin e tij, pra shfaqja “Rrëfimi” është një dramatizim i vërtetë dhe një dëshmi që prifti zbuloi se ishte homoseksual.

Në konferencën e organizuar për media, aktori dhe regjisori i kësaj shfaqje u shpreh i lumtur që gjendet këtu dhe tha se është hera e parë që po shfaqet në Evropë.

“Është një kënaqësi e madhe dhe një nder që gjendem këtu, një spektakël i cili ka debutuar së pari në Itali, në zemrën e Romës, pikërisht në mesin e muajit tetor, e kemi përfunduar me datën 28 tetor, ai ka qenë prezantimi i parë Italian, ndërsa këtu e kemi prezantimin e parë evropian”, u shpreh Alfredo Traversa.

Aktori dhe regjisori Alfredo Traversa tregon gjithashtu për vlerat e shfaqjes në teatër, për forcën e teatrit si dhe për mundësitë që i ofron.

“Teksti realisht ka të bëj me një përplasje, për një prift homoseksual. Ka qenë hera e parë që është prezantuar në afërsi të Vatikanit në teatër dhe është prezantuar kjo shfaqje me një risi”.

Ai thotë se vepra tregon një gërryerje të brendshme brenda individit.

“Kjo është forca e teatrit që nuk ofron vetëm një zgjidhje, por jep mundësi të përballesh, t’i përplasësh dy shpirtëra, dy zemra dhe një trup. Dhe kjo është e veçanta e kësaj shfaqje, të jesh apo të mos jesh në rastin e priftit”, u shpreh regjisori Traversa.

‘’The Confession’’ mund ta shihni sonte nga ora 19:00 në teatrin “Faruk Begolli”, në Kolegjin AAB./GazetaKNN/

the authorBurbuqe Metolli