SHBA thotë se ka identifikuar “përgatitje të mundshme” për një sulm kimik në Siri dhe ka lëshuar një paralajmërim ndaj qeverisë siriane.
Shtëpia e Bardhë tha se aktivitetet ishin të ngjashme me ato të bëra përpara një sulmi të dyshuar kimik në prill.
Dhjetëra persona vdiqën në sulmin që e nxiti Presidentin Trump të urdhërojë ndërhyrjen ushtarake kundër një baze ajrore siriane.
Deklarata e SHBA-së paralajmëroi Presidentin Bashar al-Assad se do të paguajë “një çmim të madh” në qoftë se ndodh një tjetër sulm.
Aty thuhet se “një sulm tjetër i armëve kimike nga regjimi i Asadit” ka të ngjarë të rezultojë “në vrasjen masive të civilëve”.
Në deklaratë tutje theksohet: “Siç kemi theksuar më parë, Shtetet e Bashkuara janë në Siri për të eliminuar Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë. Megjithatë, nëse Assad kryen një tjetër sulm me vrasje masive me armë kimike, ai dhe ushtria e tij do të paguajnë çmimin. ” /KosovaPress/